Blerim Rexha, Vehbi Neziri, Ramadan Dervishi
Publication year: 2011

ABSTRACT

Sipas raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – KQZ në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 në Kosovë ishin të regjistruar 1,630,636 qytetarë me të drejtë vote, të shpërndarë në 746 qendra votimi me gjithsej 2,280 vendvotime. E statistikat botërore tregojnë se zhvillimi i hovshëm i Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit ka sjellë edhe automatizimin e shumë proceseve, si në biznes ashtu edhe në lëmenjtë e tjerë të jetës. Duke pasur parasysh këtë zhvillim shumë vende pretendojnë të kalojnë nga votimi tradicional në votimin elektronik, e bazuar në raportin e KQZ ia vlen që të ngritët një sistem i këtillë edhe në Kosovë. Ky punim mëton, që: (i) duke analizuar arkitekturën e përshtatshme për sistemin e këtillë dhe sigurinë e të dhënave, të propozojë ngritjen e një sistemi të votimit elektronik në Kosovë, dhe (ii) duke analizuar efektet e mundshme nga aplikimi i një sistemi të këtillë elektronik të bindë vendimmarrësit për të përkrahur ngritjen e sistemit. Veçoritë e sistemit elektronik që do të analizohen janë: autentikimi i sigurt në pajisjet e përzgjedhura, bartja e sigurt e informacioneve të ndërlidhura me votën dhe votimin, dhe më e rëndësishmja saktësia dhe shpejtësia e paraqitjes së rezultateve të votimit, e që do të bazohen në veçoritë biometrike (gjurmët e gishtërinjve) dhe në certifikatat digjitale me mundësi votimi edhe nga interneti ose nga shtëpia. Rezultat dhe dobi e e-votimit, përveç shpejtësisë dhe saktësisë së numërimit, është edhe kursimi i parasë publike, pasi që sistemi i takon tipit “ndërto një herë – përdor shumë herë”.