ABSTRACT
Përdorimi gjithnjë më i madh i kompjuterit dhe i teknologjisë së informacionit në të gjitha fushat e kërkimit shkencor nuk ka lënë pa e përfshirë edhe fushën e linguistikës. Korpuset tekstore të përpiluara me kompjuter paraqesin një mjet me rëndësi jo vetëm për leksikografinë, por dhe për studime të ndryshme linguistike. Ato kanë gjetur zbatim edhe në lëmenj të ndryshëm që kanë të bëjnë me gjuhët njerëzore a natyrore, në radhë të parë në përpunimin e gjuhës natyrore (Natural Language Processing, NLP) dhe në përkthimin kompjuterik. Sot krahas korpuseve të shumta njëgjuhëshe janë ndërtuar dhe korpuse të ndryshme paralele në dy a më shumë gjuhë, të cilat ndihmojnë për një përkthim më të saktë kompjuterik nga një gjuhë në disa gjuhë të ndryshme dhe anasjelltas.